Avokati Alban Duraj ka reaguar pasi u akuzua se deklarata e tij mbi Bleona Matën ishte gënjeshtër.
Avokati ka thënë se e ka bërë deklaratën nisur nga komunikimet që ka patur me nënën e Bleonës. Në një intervistë për News24, ai ka publikuar një audio, ku nëna e Bleonës, Bukurie Mata pranon se ka një foto që supozohet se tregon Bleonën në moshën 15-16 vjeçare. Bukurie Mata shprehet e sigurt se vajza në foto është Bleona pasi ka të njëjtën shenjë në fytyrë.
“Ekzistojnë prova të forta që ajo është birësuar nga një shtetas grek. Edhe nëna e saj e ka thënë.”- tha avokat dhe më pas hapi një regjistrim audio.
“Kemi informacion. Kam një foto që ajo ka ndjekur shkollën e mesme, tani është në universitet. Ajo është Bleona sepse ka shenjën e lindjes, ka ngjashmëritë në fytyrë. Ka shenjën në anën e djathtë të fytyrës. Ka qenë në moshën 16-vjeçare kur është bërë fotoja. Ajo foto nuk është modifikim. E kanë parë duke shkuar në shkollë, duke shkuar në qendrën sociale. Edhe shkolla e ka konfirmuar që e ka patur nxënëse. Mua ma bën zemra bam që ajo është Bleona sepse ka shenjën në fytyrë. Unë ia kam dhënë foton detektivit dhe po vijojnë kërkimet.”- dëgjohet të thuhet në audion që avokati publikoi dhe ku pretendon se ajo që flet është Bukurie Mata. Më tej ai tha: “Unë nuk e kam thënë në mënyrë taksative. Kam bërë një bisedë me zonjën Bukurie. Unë nuk kam informacione zyrtare. Asnjë fjalë nga ato që unë kam thënë nuk është e pavërtetë. Nuk pendohem për ato që thashë, zonja Bukurie ma ka autorizuar vetë. Ka thënë se ne të gjithë duhet të bëjmë çfarë të mundemi për të gjetur Bleonën. Dhe unë këtë e marr si ftesë për të folur. Kur ajo të më thotë mos fol, unë do e respektoj. Nuk po e përdor dhimbjen e saj për interesa personale sepse nuk kam asnjë interes. Unë me këtë çështje jam rritur. E kam parë nga ana njerëzore. Unë nuk e shoh problemin tek zonja Bukurie por tek persona që mundohen t’i thonë se po e ndihmojnë. Unë do i gjendem pranë zonjës, edhe nëse ajo ka nevojë për ndihmën time ligjore. Përfaqësues i zyrtar i familjes nuk ka asnjë tjetër informacion mbi çështjen, e cila nuk është aspak në SPAK. Ai thotë ndërkohë e ka SPAK.”
Be First to Comment