Skip to content

“Imuniteti i Ergysit iu hoq po nga ata që ia kishin vendosur”, ishte teza e Hoxhës, i cili pretendoi se pushteti i Agasit nuk buronte nga fakti se ishte një “gangster”, por nga autoriteti që i ishte deleguar nga nivelet më të larta politike.

Pikërisht këtu Hoxha solli në “MaShqip” historinë personale të arrestimit të djalit të tij.
Sipas gazetarit, djali i tij, të cilin e përshkroi si laborant dentar dhe shofer ambulance në Kombinat, u mor në mes të rrugës përmes një operacioni të madh policor. Hoxha pretendoi se gjithçka ndodhi “me urdhër nga lart” dhe nën presionin e Edi Ramës, duke e cilësuar atë që i ndodhi të birit si rrëmbim dhe presion të drejtpërdrejtë ndaj tij.

“Mua ma rrëmbyen djalin në mes të rrugës, me 100 mijë lekë në xhep, me Operacionalen, me polici, me eskortë. E mbajtën 90 ditë në burg me sajesa. Ndërsa Gysin, me gjithë atë fuqi që kishte, e kap polici i rrugës. Kush e beson këtë?”, ishte në thelb denoncimi i Hoxhës gjatë bisedës në “MaShqip”. Pretendimi se operacioni ndaj djalit të tij ishte urdhëruar apo nxitur nga lart.

Kontrasti me arrestimin e Agasit është thelbi i dyshimit që ngre gazetari. Hoxha ka deklaruar publikisht se Agasi u ndal nga efektivë të zakonshëm të strukturave vendore, pavarësisht profilit dhe lidhjeve që i atribuoheshin. Nga ana tjetër, SPAK deklaroi pas arrestimit se kapja erdhi pas një pune disajavore dhe falënderoi Policinë e Shtetit për operacionin. Pra, interpretimi i Hoxhës për një “dorëzim të kontrolluar” mbetet i tij dhe ndryshon nga versioni institucional.

Por Hoxha e çoi historinë shumë më larg se vetë momenti i arrestimit. Sipas tij, hetimi që preku Agasin nisi nga pista të tjera, përfshirë kontrabandën e cigareve dhe më pas AKSHI-n, për të zbuluar një rrjet shumë më të gjerë kontaktesh dhe ndikimi. Gazetari pretendoi se Agasi kishte filmuar persona që shkonin në zyrën e tij dhe kishte krijuar një arkiv të marrëdhënieve të tij me njerëz të pushtetshëm.

Sipas Hoxhës, fusha e Agasit nuk ishin tenderët e mëdhenj të rrugëve, tuneleve apo aeroporteve. Fuqia që ai i atribuon ishte e një natyre tjetër. “Gysi kishte drejtorët, policinë, AKSHI-n, Hipotekën, SHISH-in, Policinë Shkencore, gjykata e prokurorë dhe komunikimet me grupet kriminale”, ishte pretendimi i Hoxhës, i cili përgjegjësinë politike për këtë fuqi ia adresoi kryeministrit Edi Rama.

Për Hoxhën, pikërisht këtu gjendet edhe shpjegimi i arrestimit: Agasi nuk u bë i kapshëm sepse papritur policia zbuloi se ku ndodhej, por sepse, sipas tij, iu hoq mbrojtja që e kishte bërë të paprekshëm.

Dhe pyetja që Hoxha la pezull në “MaShqip” ishte po aq e fortë sa akuza: nëse Ergys Agasi kishte vërtet gjithë këtë akses në polici, SHISH, AKSHI, hipoteka, drejtësi dhe grupe kriminale, kush ia dha këtë fuqi — dhe pse iu hoq pikërisht tani?

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *