Përmes një videoje të publikuar sot në Instagram, Konomi ka deklaruar dhe akuzuar televizionin dhe emisionin se kanë ndikuar drejtpërdrejt në nisjen e revoltës studentore, duke iu referuar një skeçi të transmetuar më 16 tetor.
“Dje në darkë ishte Portokallia. Kush e pa? Se unë isha në protestë. Po s’e ka parë njeri, se asnjë publik në sallë s’kishte”, shprehet ai në fillim të videos, duke ironizuar audiencën e emisionit.
Sipas Konomit, skeçi i transmetuar më 16 tetor ishte një nga arsyet kryesore që nxiti reagimin e studentëve dhe protestat që pasuan.
“Top Channel bën atë që thotë një shprehje popullore: U përpoq të lajë mutin me shurrë dje. Pasi u bë shkaktar skeçi i Portokallisë dhe Top Channel që në 16 tetor shkaktuan lindjen e kësaj revolte studentore në Shqipëri. Top Channel dhe Portokallia ishin shkaktarët kryesorë që e ndezën këtë”, deklaron ai.
Konomi thekson se protesta nisi menjëherë pas transmetimit të skeçit dhe kritikon televizionin për mungesën e një kërkimfaljeje.
“Skeçi ishte në 16 tetor, sot jemi në ditën e 13-të të protestës. Protesta nisi menjëherë pas atij transmetimi. As falje s’kanë kërkuar. U përpoqën ta shpjegonin që ishte satirë”, shton ai.
Në vijim të videos, Konomi ka publikuar një fragment nga emisioni i mbrëmshëm “Portokalli”, ku Agron Llakaj u drejtohej studentëve me thirrjen që të mos dëmtonin Tiranën gjatë protestave, duke argumentuar se hapësirat dhe pasuria publike u përkasin vetë qytetarëve.
Por pikërisht kjo deklaratë ka sjellë një tjetër reagim kritik nga Konomi, i cili e ka cilësuar fjalimin si një përpjekje për të ndikuar në mënyrën se si publiku i sheh protestat.
Ai ka bërë edhe një krahasim me periudhën e diktaturës së Enver Hoxhës, kur, sipas tij, qytetarëve u thuhej se gjithçka ishte pronë e popullit, ndërkohë që realiteti ishte ndryshe.
“Përsëri po manipulohet situata nëpërmjet këtij fjalimi, që dhe vetë Agroni nuk besonte në ato që thoshte”, përfundon Konomi.
Be First to Comment