Skip to content

Përmes disa postimeve në Instagram, Shkurta ka sqaruar se me Agasin njihet që nga fëmijëria, pasi kanë qenë bashkë në kopsht dhe kanë vazhduar të njëjtën shkollë deri në klasën e tetë.

“Ergysin e njoh që nga kopshti dhe kemi qenë bashkë në shkollë fillore deri në klasën e tetë”, shkruan ajo, duke iu përgjigjur pretendimeve se është takuar së fundmi me biznesmenin.

Këngëtarja ka treguar se më vonë ka pasur komunikime telefonike me Agasin dhe familjarët e tij për realizimin e disa seteve fotografike familjare, por ka mohuar të jetë takuar personalisht me të që prej asaj periudhe.

“Më vonë kemi komunikuar në telefon, bashkë me familjarë të tij, për realizimin e seteve fotografike familjare të familjes së tij. Megjithatë, prej asaj kohe nuk jemi takuar personalisht”, shprehet Shkurta.

Ajo e ka mbyllur reagimin me një koment ironik ndaj atyre që kanë ngritur pikëpyetje për njohjen e tyre.

“Nuk e dija që për të pasur miq duhej edhe certifikatë pastërtie nga opinioni publik!”, shkruan këngëtarja.

Për të treguar se njohja e tyre daton që në fëmijëri, Rezarta ka publikuar edhe një fotografi të vjetër të klasës, ku shfaqet së bashku me ish-shokët e shkollës.

“Na u bë klasa e famshme. Quiz: Gjeni ku jam unë… dhe ku është Ergysi?”, ka shkruar ajo krahas fotografisë.

Reagimi i saj vjen në një kohë kur emri i Ergys Agasit është përfshirë në një hetim të SPAK për dyshime mbi kontrollin dhe manipulimin e tenderëve publikë. Biznesmeni u arrestua në gusht të këtij viti dhe përballet me akuza për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.

Ndërsa në rrjetet sociale vijojnë diskutimet për lidhjet e Agasit me personazhe të njohur, Rezarta Shkurta ka zgjedhur të sqarojë publikisht natyrën e njohjes së tyre, duke theksuar se bëhet fjalë për një marrëdhënie që daton që nga vitet e shkollës.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *