**RADOVISH** – Një 47-vjeçar nga Radovishi dhe nëna e tij 71-vjeçare nga fshati Kozhali, në Maqedoninë e Veriut, dyshohen se nuk kanë deklaruar rreth 580 mijë euro të pranuara nga një person në Gjermani, duke shmangur pagesën e tatimit mbi të ardhurat personale.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Sektori për Punë të Brendshme në Strumicë, përmes Njësisë së Punëve të Brendshme në Radovish, ka ngritur kallëzime penale ndaj dy personave me inicialet I.J. dhe A.J.
Sipas autoriteteve, nga 29 tetori 2019 deri më 2 nëntor 2021, në llogarinë bankare në valutë të 71-vjeçares, për të cilën djali i saj ishte person i autorizuar, janë transferuar gjithsej 579.015 euro, ose rreth 35,6 milionë denarë, nga një person fizik në Gjermani.
Dyshohet se shuma e pranuar nuk është deklaruar si e ardhur, duke shmangur kështu detyrimin për pagesën e tatimit mbi të ardhurat personale.
**Tatimi i papaguar, bashkë me kamatën, arrin në mbi 3,1 milionë denarë.**
Sipas të dhënave të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kontrolli tatimor ka përcaktuar se shuma e tatimit të shmangur, së bashku me kamatën e llogaritur, arrin në 3.182.066 denarë.
Autoritetet dyshojnë gjithashtu se 47-vjeçari i ka përdorur paratë për ndërtimin e një objekti të paligjshëm dhe blerjen e pasurisë së luajtshme në Maqedoninë e Veriut, duke dyshuar se është tentuar të fshihet prejardhja e mjeteve financiare.
Ndaj 47-vjeçarit është paraqitur kallëzim penal për veprat e dyshuara penale “fshehje tatimi”, “pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale” dhe “ndërtim i paligjshëm”. Ndërsa ndaj nënës së tij është paraqitur kallëzim penal për “fshehje tatimi”.
Lënda i është dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike në Strumicë për procedim të mëtejshëm.
Të dy personat konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Be First to Comment