Në fotografi shfaqen dhjetë të rinj, mes tyre Enver Hoxha, Sabiha Kasimati dhe Myslym Çarçani. Të tre ishin me origjinë nga Gjirokastra dhe në atë kohë ishin nxënës, pa e ditur se si do të ndryshonin jetët e tyre pas ardhjes së komunizmit në Shqipëri.
“Një foto që nuk arrin dot të paralajmërojë një tragjedi. Kjo foto që po shihni është shkrepur në 1 nëntor të vitit 1929 në Liceun e Korçës. Janë shokët e klasës në orën e matematikës. Në qendër është Enver Hoxha, një nxënës nga Gjirokastra. Nën të është e vetmja vajzë e klasës, Sabiha Kasimati, edhe ajo nga Gjirokastra”, tregon Fevziu.

Sipas gazetarit, në fotografi ndodhet edhe Myslym Çarçani, i cili ishte një tjetër shok klase i Enver Hoxhës dhe personi që kishte ruajtur fotografinë. Imazhi është publikuar nga historiani Kastriot Dervishi, ndërsa identitetet e personave të tjerë nuk janë përcaktuar.
Por historia e kësaj fotografie merr një tjetër kuptim kur shihet se çfarë ndodhi me tre personazhet kryesore gjatë viteve që pasuan.
Sabiha Kasimati u bë një nga shkencëtaret e para shqiptare, duke u dalluar për kontributin e saj në biologji dhe studimin e faunës së vendit. Ndërkohë, Enver Hoxha mori drejtimin e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe vendosi regjimin komunist që do ta mbante vendin nën diktaturë për dekada.
Myslym Çarçani, nga ana tjetër, u bë një prej të përndjekurve të regjimit. Sipas Fevziut, ai u arrestua në vitin 1945 dhe kaloi dhjetë vite në burg.
Fati më i rëndë ishte ai i Sabiha Kasimatit. Më 26 shkurt 1951, ajo u pushkatua së bashku me 21 persona të tjerë, pas shpërthimit të një sasie dinamiti pranë Legatës Sovjetike në Tiranë.
Regjimi i përdori ngjarjet e asaj periudhe si pretekst për arrestimin dhe ekzekutimin e një grupi intelektualësh dhe qytetarësh, pa një proces të rregullt gjyqësor. Sabiha Kasimati ishte e vetmja grua mes 22 personave të ekzekutuar.
“Çfarë ndodhi? Sabiha Kasimati u bë e para shkencëtare në historinë e Shqipërisë. Enver Hoxha u bë diktator i vendit, ndërsa Myslym Çarçani ishte ndër viktimat e para të tij”, shprehet Fevziu.
Gazetari ndalet te fakti se tre personat që dikur kishin qenë shokë klase u gjendën më vonë në pozicione krejtësisht të kundërta, me Enver Hoxhën në krye të pushtetit dhe dy të tjerët mes viktimave të regjimit të tij.
“Askush nuk e dinte kur kjo foto është shkrepur dhe të gjithë janë të qeshur, se çfarë tragjedie do të provonte më vonë. Ky burrë vrau këtë grua dhe futi në burg burrin tjetër”, thotë ai, duke iu referuar përgjegjësisë së regjimit të udhëhequr nga Hoxha.
Fevziu thekson se nuk ka informacione për fatin e personave të tjerë që shfaqen në fotografi, ndërsa historia e Sabihasë dhe Myslymit është e dokumentuar.
“Ja se si një foto e bukur klase mund të kthehet në tragjedi. Distanca kohore është e madhe, po historitë janë thuajse njësoj”, përfundon gazetari.
Në vitin 1991, Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm 22 personat e ekzekutuar në shkurt të vitit 1951, duke njohur padrejtësinë e kryer ndaj tyre. Historia e Sabiha Kasimatit mbetet ndër rastet më të njohura të persekutimit të intelektualëve gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri.
Be First to Comment