Në një intervistë ekskluzive për News24, për gazetarin Osman Stafa, i mituri ka deklaruar se nuk ka mundësi financiare për të paguar gjobën e vendosur ndaj tij.
Sipas të riut, familja e tij jeton në kushte të vështira ekonomike dhe të ardhurat kryesore sigurohen nga pagesat e përkrahjes për familjarët.
“Unë isha duke luajtur, nuk kam qenë pjesë e protestës”, u shpreh fillimisht 17-vjeçari, duke kundërshtuar rrethanat për të cilat është gjobitur.
Ai tregoi se nuk e kishte njoftuar ende babanë për gjobën, pasi shuma që duhet të paguajë është e papërballueshme për familjen.
“Babin nuk e kam lajmëruar, sepse nuk mund të paguaj dot 5 mijë eurot për 10 ditë. Nëna më ka vdekur, më ka ndërruar jetë ka shumë vite”, deklaroi ai.
I mituri rrëfeu se familjarët e tij marrin në total 240 mijë lekë nga pagesat e përkrahjes, ndërsa edhe vetë kishte punuar më parë në një mobileri për të siguruar të ardhura.
“Me kemp kam familjarët, që marrin në total 240 mijë lekë. Nuk na del aspak. Unë kam punuar në mobileri, merrja 360 mijë lekë, nuk del për asgjë”, tregoi 17-vjeçari.
Ai shtoi se për shkak të humbjes së nënës nuk përfiton ndonjë ndihmë tjetër nga shteti, përveç një burse shkollore.
“Nuk kam ku t’i gjej lekët”, u shpreh i riu, duke theksuar pamundësinë për të përballuar gjobën.
Pavarësisht situatës, 17-vjeçari deklaroi se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga protestat kundër qeverisë.
“Unë kam dalë për të drejtat e mia dhe të drejtat e Shqipërisë. Në protestë do marr pjesë derisa të japë dorëheqjen Rama. Nuk më frikëson asgjë”, deklaroi ai.
Rrëfimi i të miturit ngre pikëpyetje për rrethanat e vendosjes së gjobës dhe mundësinë e kundërshtimit të saj, ndërsa deri më tani nuk janë paraqitur në këtë raportim dokumentet zyrtare që sqarojnë bazën ligjore të masës administrative.
Be First to Comment