Gjatë protestës, përfaqësuesit sindikalë kanë paralajmëruar se, nëse nuk ndërmerren hapa konkretë për adresimin e problemeve, mund të organizohen veprime të tjera sindikale, përfshirë edhe grevën.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka kërkuar nga menaxhmenti që të nisë dialogun me përfaqësuesit e punëtorëve, duke theksuar se pakënaqësitë janë grumbulluar prej kohësh.
Sipas tij, punëtorët nuk po kërkojnë favore, por trajtim të drejtë dhe zgjidhje për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe kushtet e tyre të punës.
“Dëshira e klasës punëtore është të hyjmë në grevë. Ne iu themi se nuk po bëjmë shaka. Ne ju themi se s’po kërkojmë lëmoshë, ju themi uluni, dialogoni dhe zgjidheni këto problemi një nga një, sepse na ka ardhur thika në asht, jemi lodhur duke pritur disponimin e menaxhmentit”, ka deklaruar Jashari.
Ai ka paralajmëruar se sindikata do të vazhdojë me organizimin e protestave, ndërsa një tubim tjetër është paralajmëruar për javën e ardhshme, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend.
Jashari ka bërë të ditur se përfaqësuesit e punëtorëve do t’i drejtohen edhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me kërkesë për takim.
Në deklaratën e tij, ai ka përdorur një paralajmërim të fortë lidhur me pasojat që mund të sjellë mungesa e dialogut.
“Të gjitha do t’i arrijmë të bashkuar, pa bashkim nuk ka rezultate. Unë besoj fuqishëm, sot do t’iu drejtohemi ministres Artane Rizvanolli me kërkesë për takim. Nëse nuk ka takim, e tërë Kosova do të jetë në terr”, ka thënë Jashari.
Deklarata e tij lidhet me mundësinë e përshkallëzimit të veprimeve sindikale, megjithëse deri më tani nuk është njoftuar një vendim për ndërprerjen e prodhimit të energjisë elektrike.
Përfaqësuesit e sindikatës kanë theksuar se qëllimi i protestave është të ushtrohet presion institucional për fillimin e negociatave dhe gjetjen e zgjidhjeve për kërkesat e punëtorëve.
Ndërkohë, nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, Nexhmi Llumnica, ka shprehur pakënaqësi edhe lidhur me çështjet buxhetore dhe shpërndarjen e mjeteve financiare.
Ai ka përmendur rialokimin e 120 milionë eurove nga buxheti, duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen nevojat e ndërmarrjeve publike.
“Këtu jemi për të shprehur pakënaqësitë. Ku mos me qenë të pakënaqur kur dëgjojmë rialokimin e mjeteve të buxhetit për 120 milionë euro, e që prej tyre merren 30 milionë euro për ndërmarrje publike. Çfarë kuptimi ka me na i marrë paratë neve e t’i jepen të tjerëve, e shtëpisë së vetë jo?”, ka deklaruar Llumnica.
Ai ka kërkuar që institucionet të marrin parasysh kontributin e punëtorëve të sektorit energjetik dhe nevojën për përmirësimin e kushteve të tyre.
Në protestë ka marrë pjesë edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, i cili ka shprehur mbështetje për kërkesat e punëtorëve të KEK-ut.
Gashi ka deklaruar se kërkesat e tyre janë të drejta dhe se punëtorët meritojnë vlerësim për angazhimin e përditshëm në një sektor me rëndësi të veçantë për vendin.
“Sot nuk kam ardhur për të shprehur solidaritet, kam ardhur për të ngritur zërin për punën, sakrificën tuaj dhe për padrejtësitë që përballeni çdo ditë”, ka thënë ai.
Protesta zhvillohet në një periudhë kur sektori energjetik në Kosovë po përballet me sfida të lidhura me prodhimin vendor dhe nevojën për sigurimin e furnizimit gjatë sezonit dimëror.
KEK-u ka rol qendror në prodhimin e energjisë elektrike në vend, ndërsa funksionimi i kapaciteteve të tij është i rëndësishëm për stabilitetin e sistemit energjetik.
Për këtë arsye, paralajmërimi për grevë ka rëndësi të veçantë, edhe pse ndikimi eventual në prodhimin e energjisë do të varej nga forma, kohëzgjatja dhe përmasat e një veprimi të tillë.
Sindikalistët kanë bërë të qartë se presin përgjigje nga menaxhmenti dhe institucionet përgjegjëse, ndërsa protesta e radhës është paralajmëruar për pas një jave.
Deri në këtë fazë, kërkesa kryesore mbetet hapja e dialogut për pagat dhe kushtet e punës, me synimin që të arrihet një marrëveshje përpara se pakënaqësitë të përshkallëzohen në grevë.
Be First to Comment