Sipas burimeve, në pjesën e parë të takimit Rama ka mbajtur një fjalim rreth njëorësh, duke u ndalur veçanërisht te dy dokumentet e Partisë Socialiste, “BESA” dhe “Prania e BESËS”. Kryeministri ka kërkuar që ato të lexohen me rigorozitet dhe të shpërndahen jo vetëm te deputetët e drejtuesit politikë, por edhe te kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e degëve të PS-së.
Në funksion të zgjedhjeve të vitit 2027, Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë të zbresin në terren dhe të zhvillojnë takime të vazhdueshme me qytetarët.
Një pjesë e diskutimeve është përqendruar edhe te riorganizimi i pushtetit vendor. Drafti që parashikon shkrirjen e 15 bashkive ka shkaktuar debate në disa zona. Sipas burimeve, Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë të marrin përgjegjësi dhe t’u shpjegojnë qytetarëve arsyet e reformës.
Në takim është folur edhe për kandidatët e PS-së për zgjedhjet lokale të 2027. Rama ka kërkuar që procesi i identifikimit të emrave të nisë që tani, duke vendosur si kriter që kandidatët të jenë figura të pastra dhe të kenë mbështetje në komunitetet ku do të garojnë.
Një tjetër çështje e ngritur nga kryeministri ka qenë administrata publike. “A janë lëvizur drejtorët?”, mësohet të ketë pyetur Rama, duke kërkuar rishikimin e drejtimit të strukturave administrative dhe duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin për vite të tëra të të njëjtëve persona në të njëjtat poste.
Rama u ka kërkuar gjithashtu kryetarëve të komisioneve parlamentare më shumë kujdes në hartimin e ligjeve dhe koordinim më të mirë gjatë procesit legjislativ.
Mbledhja në Pogradec pritet të vijojë edhe të dielën, ku në tryezë pritet të marrin pjesë edhe drejtues të institucioneve të rëndësishme të administratës publike, përfshirë përfaqësues të AKSHI-t. Në fund të takimeve pritet të përpilohet një dokument përmbledhës me çështjet dhe problematikat e diskutuara.
Pas pjesës zyrtare të takimit, Rama dhe drejtuesit politikë pritet të zhvillojnë një takim informal në Tushemisht me kryetarët e bashkive të juglindjes.
Në këtë takim pritet të jetë edhe kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, i cili, sipas raportimeve, konsiderohet një prej figurave të afërta me kryeministrin. Në korridoret politike po qarkullon gjithashtu pretendimi se Xhakolli mund të propozohet sërish si kandidat i PS-së për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Be First to Comment