Dokumenti përmban një element të rëndësishëm që duhet ballafaquar me arsyetimin e Gjykatës: bashkëshortja e Behajdin Allaqit, Nazmije Allaqi, kishte deklaruar tek autoritetet se burrin e saj e kishte marrë policia serbe.
Sipas raportit hetimor, më 21 nëntor 2000, ose rreth kësaj date, Nazmije Allaqi raportoi se bashkëshorti i saj ishte i zhdukur që prej 11 qershorit 1998. Rasti u regjistrua me numrin 2001-000512.
Në pjesën “Background of Case”, dokumenti shënon se Nazmije Allaqi kishte raportuar se bashkëshorti i saj ishte marrë nga policia serbe në fshatin Drenoc dhe se prej asaj kohe ajo nuk e kishte parë dhe nuk kishte dëgjuar më prej tij.
Ky version bie ndesh me përfundimin që Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara bëri publik më 16 shtator 2026. Sipas përmbledhjes së aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Charles Smith, Gjykata arriti në përfundimin se Hashim Thaçi ishte përfshirë personalisht në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit.
Në arsyetimin e lexuar në sallë, Gjykata e lidhi rastin edhe me një konflikt të mëhershëm. Sipas Trupit Gjykues, në vitin 1993 Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën lidhur me Shaban Shalën, i cili dyshohej prej tyre si spiun i Serbisë.
Gjykata tha gjithashtu se, para zhdukjes, Behajdin Allaqi ishte nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së dhe se Thaçi e Kadri Veseli kishin kërkuar të informoheshin për praninë e tij në shtabin e UÇK-së në Drenoc.
Sipas versionit të pranuar nga Trupi Gjykues, më 11 qershor 1998 ose rreth kësaj date, Allaqi u largua nga shtëpia dhe shkoi në shtabin e UÇK-së në Drenoc. Gjykata konstatoi se Thaçi dhe Veseli mbërritën më pas dhe e morën Allaqin në pranga. Ai nuk u pa më dhe Trupi Gjykues tha se ishte bindur se Allaqi ishte vrarë.
Be First to Comment