
Prokuroria e ka regjistruar zhdukjen e Eglant Koçit për veprën penale të vrasjes dhe për këtë krim është shpallur në kërkim Armand Shakaj.
Burime bëjnë me dije se nga seanca ku u shqyrtua masa e sigurisë, prokurori ka deklaruar se Shakaj është marrë në pyetje nga Policia e Tiranës dy ditë pas kallëzimit të bërë nga familjarët e Eglant Koçit.
“E kam njohur Eglant Koçin prej kohësh, pasi nëna e tij ka punuar më herët si sanitare”, mësohet të ketë deklaruar i dyshuari. Duke u shfaqur i shqetësuar për zhdukjen e tij, ai ka pretenduar se e kishte takuar Koçin më 3 qershor, një ditë para zhdukjes, dhe se nuk kishte dijeni për fatin e tij.
“Ai më kishte treguar muajin e fundit (maj) se kishte shqetësime dhe kërcënime që lidheshin me aktivitetin e call center-ave, por më shumë nuk di, pasi nuk më ka thënë gjë tjetër”, ka deklaruar Shakaj.
Pasi është marrë në pyetje dhe ka dhënë dëshminë e tij, ai është lënë fillimisht i lirë. Më pas, pas verifikimit të pamjeve të kamerave të sigurisë në lokalin e tij, që ndodhet pranë Ministrisë së Jashtme, emri i tij është përfshirë në listën e personave të shpallur në kërkim.

Be First to Comment