Momente dramatike përjetuan pasagjerët e një fluturimi të një avioni të Ryanair të nisur nga Selaniku në Greqi për në Mynih të Gjermanisë mëngjesin e së premtes.
Sipas mediave greke, kur avioni ndodhej mbi zonën e Shkupit, pilotët zbuluan dëmtime serioze në njërin prej motorëve, të cilat nuk mund të ndreqeshin gjatë fluturimit.
Një pjesë e motorit thuhet se u shkëput dhe goditi një dritare të avionit, duke i shkaktuar një lëndim të lehtë një pasagjeri serb.
Lajmi u bë fillimisht i ditur nga ankesa e një pasagjeri në rthess.gr, i cili përshkroi se gjatë fluturimit u dëgjua një zhurmë e fortë dhe një dritare e aeroplanit u thye.
Sipas ankesës, kabina u çpresionua dhe pasagjerët nxituan për të ndihmuar një burrë serb që ishte ulur pranë dritares së dëmtuar dhe po tërhiqej nga era. Ai u shpëtua falë gruas së tij që ndodhej pranë, duke e mbajtur nga këmbët.
Piloti ndryshoi kurs dhe avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin e Selanikut, ndërkohë pasagjeri u dërgua në spital më dëmtim në qafë.
Një pasagjere për Radio Thessaloniki 94.5 përshkroi momentet e frikshme, duke treguar se fillimisht u dëgjua një zhurmë e fortë, pas së cilës kabina u dekompresua, vendosën maskat e oksigjenit dhe shpërtheu paniku mes udhëtarëve.
“U dëgjua një zhurmë sikur të kishte shpërthyer një gomë. Pati panik me britma, ulërima dhe zëra sepse menjëherë humbëm lartësinë nga dekompresimi. Për një moment mendova se dikush e kishte hapur aksidentalisht derën e emergjencës. Stjuardesat e humbën. Ne të gjithë menjëherë vendosëm maskat. Na u duk sikur kaloi shumë kohë para se të kuptonim se çfarë po ndodhte.”
Lidhur me serbin 61-vjeçar, ajo tha:
“E kapën dhe e mbajtën poshtë, për fat të mirë nuk e kishte hequr rripin e sigurimit. Koka e tij ishte plotësisht jashtë aeroplanit. Vajzat që ishin pranë tij po e tërhiqnin. Disa mjekë gjithashtu shkuan ta ndihmonin.”

Be First to Comment