
Me dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në shesh në një nga protestat më të mëdha me një kërkesë që i bashkon të gjithë, dorëheqjen e Edi Ramës dhe qeverisë së tij socialiste. Por i vetmi që flet është kryeministri Edi Rama dhe askush tjetër nga Partia Socialiste. Asnjë nuk guxon të flasë, të thotë një mendim në raport me zemëratën qytetare. Heshtja është shndërruar në emëruesin e përbashkët të socialistëve.
Vetëm Rama flet, të tjerët kyçin gojën. Edhe ata që kanë shfaqur në momente të caktuara qendrime kritike, sot heshtin. Ka 12 ditë që qytetarët janë në shesh dhe nuk shprehet asnjë zë nga PS, as ata që njihen si zërat më kritikë.
Debati dhe mendimi i lirë në forumet e PS-së ishte një ndër krenaritë e kësaj force politike. Për vite e vite me radhë deputetë, ministra, kryetarë bashkish apo të degëve lokale, e kanë thënë fjalët e tyre hapur edhe kur ajo ka qenë kundër numrit një të partisë.
Ndërkohë që sot, heshtja mbizotëron në rreshtat e socialistëve. Heshtin sot për temën më të nxehtë të debatit politik dhe publik, protestat e dhijëtara mijërave qytetarëve. Duket se i vetmi që del jashtë radhës është Blendi Gonxhja, ministri i Turizmit në qeverinë “Rama”. Kërkesat duhen dëgjuar thotë ai.
Në kushtet e sotme, socialistët ose janë krah kryetarit Edi Rama, ose mbyllin gojën nga reagimet me të cilat mund të përballen me pas. Pse socialistët e sotëm duken kaq të përmbajtur? Ndoshta disa heshtin nga bindja, ose servilizmi. Të tjerë nga llogaritë personale.
Disa mund të kenë interesa politike, apo karriera për të mbrojtur. Mund të jetë edhe strategji komunikimi. Por perceptimi publik është se frika për të dalë jashtë vijës së liderit, është bërë më e fortë se nevoja për debat. Në këto kushte ka dy lexime. Ose një parti e unifikuar rreth qëndrimeve të kryetarit, ose një parti ku debati nuk del më në sipërfaqe.

Be First to Comment