Ai u ndal edhe te komunikimet telefonike të përfshira në dosjen e prokurorisë, duke sqaruar se ato lidhen me ndërhyrje për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“Unë mund të jem sot në përgjim, dje mora një drejtor tjetër sepse kishte problem me dritat në një fshat tjetër. Marr edhe drejtorin e spitalit kur ka problematika dhe më vijnë ankesa”, deklaroi kryebashkiaku.
Duke iu referuar një prej komunikimeve të interpretuara nga prokuroria, Shkreli tha se shprehja “jepi zjarr” nuk kishte lidhje me kërkesa për vota, por me organizimin e një aktiviteti elektoral.
“Mesazhi që prokuroria thotë ‘jepi zjerm’ është që unë kam kërkuar që në takimin elektoral të kishte brohoritje dhe ovacione, jo që të kem kërkuar vota apo të kem ofruar të mira materiale apo vende pune”, u shpreh ai.
Shkreli tha gjithashtu se gjatë fushatës kishte kërkuar pjesëmarrje më të madhe në mitingje, përfshirë aktivitetet e organizuara nga Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate.
“Unë kam kërkuar që të vijnë sa më shumë njerëz në miting, si tek ai i PS-së dhe ai i PSD-së. Ka qenë situatë e tensionuar. 500 herë më kanë marrë në telefon për problemet e banorëve, nuk më pushonte telefoni nga ankesat”, tha ai.
Kryebashkiaku u ndal edhe te një tjetër komunikim i përfshirë në hetim, ku sipas tij është keqinterpretuar një deklaratë për energjinë elektrike në zonë.
“Banorët kishin dy javë pa drita. Një frazë që prokuroria thotë se u kam thënë banorëve ‘ja kam dhënë unë lekët’, ishte për t’i bindur qytetarët që defekti i linjës do të rregullohej. Unë nuk u kam dhënë asnjë lek OSHEE-së”, deklaroi Shkreli.
Procesi ndaj Kristjan Shkrelit vijon në GJKKO, ndërsa SPAK e akuzon për korrupsion në zgjedhje. Kryebashkiaku ka mohuar akuzat dhe ka pretenduar se veprimet e tij kanë qenë pjesë e detyrës institucionale për t’iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve.
Be First to Comment