“Pranë lokalit tim ka ndodhur një vrasje para 3-4 vitesh, përpara Vitit të Ri. Atë ditë binte shi në mëngjes. Ishte një automjet tip Audi, ngjyrë e bardhë, me xhama të errët. Gruaja më tha se ishte një makinë aty. U afrova, por nuk pashë njerëz. Pas pak, njëri nga personat që zbriti nga makina i flet Albi Bashaliut, pastaj kërciti arma. Nuk e kisha parë ndonjëherë si fytyrë, ishte me maskë. Ai gjuajti 2-3 herë”, deklaroi Bashaliu.
Ai shtoi se në automjet ndodheshin dy persona, por vetëm njëri prej tyre kreu ekzekutimin. Pas të shtënave, autorët i vunë flakën automjetit të viktimës dhe u larguan nga vendngjarja.
“Ky Albi ra në tokë, pastaj ata futën armën dhe dogjën automjetin e viktimës. Unë u futa brenda, vetëm shikoja, nuk bëra gjë”, dëshmoi ai.
Në vijim, Sami Bashaliu tha se Albi Bashaliu nuk frekuentonte më lokalin e tij pas vrasjes së vëllait, Leonard Bashaliut, dhe se nuk kishte dijeni për të kaluarën apo konfliktet e viktimës.
“Albi nuk vinte te lokali ynë kohët e fundit, që kur u vra vëllai i vet. Nuk dija gjë për të kaluarën e tij. Albit i vranë vëllanë, Leonardin, ai rrinte më shumë në Itali. Për Albert Xhahysën vetëm kështu u mor vesh aty, unë nuk di gjë”, u shpreh dëshmitari para GJKKO-së.
Procesi ndaj Laert Haxhiut vijon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe administrimin e provave për ngjarjet që janë pjesë e dosjes penale.
Be First to Comment