Skip to content

Të dy zyrtarët, të konsideruar si figura të afërta me Ballukun, janë thirrur për t’u njohur zyrtarisht me vendimin për zgjatjen e afateve proceduriale. Sipas prokurorëve, çështja konsiderohet si komplekse për shkak të volumit të lartë dhe numrit të madh të tenderëve që po i nënshtrohen verifikimit. Zgjatja me tre muaj bëhet e mundur bazuar në ligj, për t’i dhënë kohë grupit hetimor të kryejë veprime shtesë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Hetimet e thelluara

Balluku dyshohet se ka shumë pasuri të fshehura. Gjatë kësaj kohe Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka firmosur urdhër-kontrollet që kanë vënë në lëvizje prokurorët specialë në një operacion të shtrirë në disa nivele. Shënjestër e këtyre bastisjeve nuk kanë qenë vetëm zyrtarët, por edhe familjarë, biznesmenë të njohur dhe oligarkë të fuqishëm që kanë lidhje me Ballukun. Por kthesa e madhe në hetime ka ardhur pikërisht pas sekuestrimit të telefonave dhe kompjuterëve të këtyre biznesmenëve.

Nga zbërthimi i pajisjeve elektronike janë zbuluar komunikime dhe të dhëna tronditëse që dritësojnë një skemë të frikshme korrupsioni. Dyshohet se komunikimet sekrete kanë zbuluar prona të tjera të padeklaruara në emra të të tretëve, ku dyshohet se ish-zv/kryeministrja Balluku zotëron një numër të madh pasurish të paluajtshme, të shtrira në zonat më strategjike të vendit.

Harta e pasurisë së saj të fshehtë dyshohet se përfshin apartamente luksoze dhe vila të shtrenjta, të përqendruara kryesisht në Tiranë dhe në vijën bregdetare. Kjo pasuri marramendëse dyshohet se është produkt i drejtpërdrejtë i aferave me fondet publike dhe rrugët e florinjta. Në kuadër të hetimit pasuror të Ballukut, mësohet se prokurorët e posaçëm kanë kërkuar informacion edhe jashtë vendit, përmes letër-porosive. Ndaj hetimet e Ballukut janë shtyrë pasi SPAK po e “qep” mirë si dosje.

Akuzat

Kujtojmë se Balluku u mor fillimisht e pandehur në 31 tetor të vitit të kaluar për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Pak javë më pas më 19 nëntor ndaj saj u vendos ndalimi I lëvizjes jashtë vendit, ndërsa kërkesa për pezullimin e saj nga detyra, u shoqërua me polemika dhe një përplasje që përfundoi në Gjykatën Kushtetuese me kërkesë të qeverisë. Kërkesa u rrëzua pasi Kushtetuesja nuk arriti kuorumin e nevojshëm për të dalë me një vendim. Paralelisht hetimet u shtrinë dhe në 7 lotet për ndërtimin e Unazës së Madhe në kryeqytet.

Hetime për të cilat SPAK i kërkoi parlamentit më 16 dhjetor dhe autorizimin për arrestin e saj, por pas 3 muajsh, shumica socialiste e hodhi poshtë me votë në parlament. Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, kontrolle të shumta u ushtruan në thuajse të gjitha kompanitë që kishin fituar garat për ndërtimin e Unazës së madhe të Tiranës. Nën hetim janë dhe të paktën tre procedura të tjera tenderuese. Garat e dyshuara për abuzime, kapin vlera disa qindra milionë dollar.

Së fundmi, asaj i janë shtuar akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka sekuestruar një vilë luksoze në Dhërmi, e cila dyshohet se është pasuri e fshehur, e përfituar si ryshfet gjatë periudhës që ajo drejtonte “Albcontrol”. Edhe pse mazhoranca rrëzoi më parë kërkesën e SPAK për arrestimin e saj, Prokuroria e Posaçme ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do t’i drejtohet sërish Kuvendit për të kërkuar masë më të ashpër sigurie pas shtimit të akuzave të reja.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *