
“Shtrëngohet laku” për Belinda Ballukun, SPAK ngre akuza të reja për ish-zv/kryeministren, e merr të pandehur edhe për 6 lotet e Unazës së Madhe
Belinda Balluku paracaktoi fatin e të të gjithë tenderave të Unazës së Madhe në Tiranë. Ky është verdikti i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila i ka komunikuar zyrtarisht këtë të premte (dje) statusin e të pandehurës ish-zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës për tenderat e 6 loteve të mbetura, pasi më herët ishte marrë nën akuzë për lotin nr. 4 të Unazës dhe Tunelin e Llogarasë. Me këtë vendim të SPAK, ndaj Ballukut tashmë rëndojnë akuzat e shkeljes së barazisë në 8 procedura tenderimi gjithsej, që arrijnë një vlerë totale mbi 600 milionë euro. Balluku ishte njoftuar të paraqitej në SPAK rreth orës 10:00 aty ku e prisnin një grup të rinjsh protestues. Por vetë Balluku u paraqit me avokatin e saj rreth orës 14:00 të së premtes në SPAK. Përveç akuzave të reja, Ballukut iu komunikua edhe zgjatja me 3 muaj e hetimeve, njëjtë si dy ish-vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi. Fillimisht Belinda Balluku u mor e pandehur 31 tetorin e vitit 2025 vetëm për tunelin e Llogarisë, tender me vlerë 190 milionë euro.

Be First to Comment