Me këtë vendim, Beqaj do ta vijojë procesin penal nën masën e arrestit në shtëpi. Ish-ministri po hetohet në kuadër të çështjes SASPAC, ku SPAK e akuzon për disa vepra penale, mes tyre korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, mashtrim dhe fshehje pasurie. Ai u arrestua në korrik të vitit 2024. Kërkesa e Beqajt bazohej në pretendimin për tejkalim të afateve të paraburgimit, duke iu referuar një vendimi njësues që përcakton se, kur gjykata e seancës paraprake kthen një çështje për hetime të mëtejshme, afati i seancës paraprake konsiderohet pjesë e afatit të hetimeve paraprake. Dy ditë më parë, gjykata ndryshoi masën e sigurisë edhe për të dyshuarin tjetër, Ermal Kurtulaj, i cili është pjesë e dosjes së SASPAK.
“Mori vendimin për kthimin mbrapsht të akteve të dosjes në Prokurori. Ky vendim bën që afatet e mëparshme të bashkohen me afatet e hetimit paraprak, ndërsa afatet e paraburgimit shuhen. Vendimin e sotëm nuk do ta apelojmë, ashtu siç nuk do ta apelojë as Prokuroria. Edhe Prokuroria ishte dakord me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Tani i takon Prokurorisë të marrë vendimin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe unë pres që zoti Beqaj të shkojë në shtëpi. Zoti Beqaj ishte i lumtur që do të kthehet në shtëpi, por prej më shumë se dy vitesh jemi sorollatur për një çështje që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Ky është një vendim i balancuar, që i jep mundësi Prokurorisë të provojë akuzën, e cila deri më sot mbetet e paqartë. Shpresoj që Prokuroria të tregohet korrekte në përmbushjen e detyrave që do t’i lërë gjykata.
Afatet e paraburgimit shuhen. Kemi më shumë se dy vjet dhe ato tashmë janë tejkaluar”, tha avokati i Beqajt. Përveç çështjes së SASPAC Ilir Beqaj u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK edhe për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit. Ndaj tij fillimisht u caktua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur”. Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetëra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor. Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, post nga u dorëhoq në nëntor të vitit 2023. Në tetor të atij viti ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Veç për aferën e sterilizimit, Beqaj është dërguar për gjykim edhe për aferën korruptive me fondet e ndihmës nga Bashkimi Evropian nëpërmjet procedurave të pavërteta të prokurimit dhe pastrimit të parave përmes faturave fiktive, në kohën kur ai drejtonte SASPAC.
Be First to Comment