
Ndërsa protestat janë përqendruar te projekti i Zvërnecit, qeveria ka miratuar një tjetër mega-projekt në bregdet, që parashikon betonizimin e 110 hektarëve në zonën e fundit të paprekur të Adriatikut shqiptar…
Ndërkohë që prej dy javësh protestohet kundër projektit ndërtimor në Zvërnec, qeveria ka miratuar edhe betonizimin e vijës bregdetare të Darëzezës në Fier, mes dy grykëderdhjeve të Vjosës dhe Semanit në det.
Në pjesën qendrore të 21 kilometrave vijë bregdetare të Adriatikut në Darëzezë, kryeministri Edi Rama ka vendosur të betonizojë fillimisht 110 hektarë tokë shtetërore dhe, rrjedhimisht, të pushtojë një pjesë të konsiderueshme të hapësirës publike të plazhit, të cilën do t’ua kalojë kompanive private me të cilat ka bërë marrëveshjet përkatëse.
Zona bregdetare e Darëzezës është pjesa e vetme e habitatit natyror të paprekur nga betoni në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë.
Por prej më shumë se një viti, babëzia për ndërtim e ka futur edhe këtë zonë në listën e objektivave për betonizim, nën maskën e zhvillimit turistik dhe të rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
Këtë projekt e ka miratuar vetë kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, më 18 prill 2025, ku pika e parë e rendit të ditës ishte pikërisht “Zhvillimi turistik i bregdetit të Darëzezës”.

Në vendim nuk janë pasqyruar detaje konkrete, por burime të informuara bëjnë me dije se projekti parashikon transformimin e 110 hektarëve në pjesën qendrore të vijës bregdetare të Darëzezës.
Në këtë sipërfaqe pritet të ndërtohen hotele, kulla, pallate, komplekse vilash dhe struktura të tjera turistike, me një vlerë investimi që llogaritet në rreth 1.2 miliardë euro.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, projekti përfshin ndërtimin e një pedonaleje tip “Lungomare”, hotele, pallate, komplekse vilash, tregje, ambiente sportive dhe një akuapark të madh, të gjitha në pronësi private.
Një nga argumentet që ka përdorur Edi Rama, i shoqëruar edhe me prezantime dhe video 3D të projektit, është rritja e numrit të turistëve të huaj dhe mungesa e kapaciteteve aktuale për t’i akomoduar dhe argëtuar ata në Sarandë, Vlorë, Gjirin e Lalzit, Kavajë, Durrës dhe Velipojë.
Por kritikët e projektit e konsiderojnë këtë argument si një justifikim për të hapur një tjetër front të madh betonizimi në bregdetin shqiptar.
Madje, pa u përzgjedhur ende zyrtarisht kompanitë që do të përfitojnë tokat dhe plazhet publike, kryeministri Edi Rama ka angazhuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e segmentit rrugor nga Rrethi i Sopit deri te Ura e Darëzezës.
Qëllimi është i qartë: infrastruktura të jetë gati për investitorët privatë që do të marrin në dorë zhvillimin e zonës.
Por ky nuk është rasti i vetëm.
Në tre vitet e fundit, qeveria ka dhënë edhe rreth 270 hektarë tokë përgjatë bregdetit të Semanit, në zonën e Topojës në Fier, për projekte të deklaruara si investime fotovoltaike.
Sipas kritikëve të këtyre projekteve, në një pjesë të konsiderueshme të kësaj sipërfaqeje nuk do të ndërtohen vetëm impiante energjetike, por edhe hotele, pallate, komplekse vilash dhe resorte turistike.
Kështu, ndërsa debati publik është përqendruar te Zvërneci, një tjetër pjesë e rëndësishme e bregdetit shqiptar po përgatitet të hyjë në të njëjtin proces transformimi dhe betonizimi.

Be First to Comment