Skip to content

Kanë prekur fundin/ RTSH nuk ka para për Shkodrën dhe Korçën, por paguan 50 milionë Baton Haxhiun

Punonjësit ankohen për mungesë fondesh, qendrat rajonale kërcënohen me mbyllje, ndërsa projekti i Baton Haxhiut dhe festivale me kosto marramendëse vazhdojnë të gjejnë mbështetje brenda RTSH-së…

Këshilli i ri drejtues i RTSH-së duket se po ndjek të njëjtën rrugë si paraardhësit. Projekti “Zëra që nuk vdesin” i Baton Haxhiut, i refuzuar fillimisht, po rikthehet sërish në tavolinë, ndërsa televizioni publik përballet me mungesë fondesh për punonjësit dhe me mbylljen e mundshme të qendrave rajonale.

Në RTSH ka ndryshuar Këshilli Drejtues, por jo zakonet. Të paktën kështu pretendojnë burime brenda institucionit, të cilat flasin për rikthimin e skemave të vjetra të favorizimeve, projekteve klienteliste dhe shpërndarjes së fondeve publike në duart e një rrethi të ngushtë njerëzish.

Në qendër të debatit ndodhet projekti “Zëra që nuk vdesin”, i lidhur me emrin e Baton Haxhiut. Sipas informacioneve, projekti u paraqit në mbledhjen e Këshillit Drejtues më 7 prill, por u refuzua me argumentin se Këshilli nuk ka kompetencë për të miratuar projekte të tilla.

Megjithatë, insistimi për ta rikthyer nuk është ndalur. Burimet na bëjnë me dije se kryetari i Këshillit Drejtues, Fatjon Hoxhallari, ka këmbëngulur që projekti të marrë dritën jeshile, ndërsa në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe drejtoresha e përgjithshme, Eni Vasili.

Sipas të njëjtave burime, projekti pritet të financohet me rreth 50 milionë lekë nga fondet e RTSH-së.

Debati nuk lidhet vetëm me këtë projekt. Brenda institucionit flitet për një praktikë më të gjerë, ku anëtarë të ndryshëm të Këshillit Drejtues paraqesin projekte nëpërmjet personave të tretë dhe të afërmve, ndërsa fondet publike përfundojnë në rrjete të lidhura me vetë vendimmarrësit.

RTSH po rikthehet në të njëjtin model që çoi në shkarkimin e këshillit të mëparshëm nga Parlamenti.

Paradoksi bëhet edhe më i madh kur shihen prioritetet financiare të institucionit.

Punonjësit ankohen për paga të ulëta. Orët jashtë orarit nuk paguhen. Dietat dhe fondet për aktivitetin gazetaresk mungojnë. Në disa sektorë flitet për shkurtime dhe kursime drastike.

Ndërkohë, RTSH gjen qindra milionë lekë për festivale, projekte speciale dhe kontrata të diskutueshme.

Vetëm festivali pranveror, sipas informacioneve të siguruara, ka konsumuar rreth 300 milionë lekë. Lista e përfituesve është e gjatë. Një i ftuar akomodohet me 500 euro për natë hotel. Regjisori i festivalit, i cili sipas burimeve është djali i zëvendëskryetarit të Këshillit Drejtues, përfiton rreth 3.5 milionë lekë për dy net aktiviteti. Drejtues të tjerë të festivalit marrin gjithashtu pagesa që shkojnë në miliona lekë.

Ndërsa miliona të tjera shpërndahen për projekte dhe festivale, në RTSH po diskutohet mbyllja ose tkurrja e qendrave rajonale në Shkodër, Korçë, Kukës dhe Gjirokastër, me argumentin se nuk ka para.

Kjo është pyetja që shtrojnë sot shumë punonjës të televizionit publik: si ka mundësi që nuk ka para për gazetarinë, për qendrat rajonale dhe për punonjësit, por ka para për projekte të privilegjuara dhe për klientelën e radhës?

Deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga RTSH për këto pretendime. Por heshtja nuk i zbeh pikëpyetjet. Përkundrazi, i bën ato edhe më të forta.

Sepse kur televizioni publik nuk arrin të justifikojë mënyrën se si shpenzon paratë e taksapaguesve, problemi nuk është më vetëm financiar. Ai bëhet problem besueshmërie publike.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *