Skip to content

“Mos e bëj Shqipërinë Kurban, për ambicien tënde të sëmurë”/ Shkrimtarja Elvira Dones, thirrje Ramës

Shkrimtarja e njohur shqiptare, Elvira Dones, ka reaguar në mbështetje të protestave masive që prej 12 ditësh po zhvillohen në Tiranë, ku mijëra qytetarë kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Dones shprehet se po i ndjek me emocion protestat dhe i cilëson si një “mrekulli” tubimet e qytetarëve që kanë dalë në shesh për të ngritur zërin e tyre.

“Kam ndjekur e ndjek netëve e çdo mëngjes, përshkuar nga emocione që i afrohen tërmetit emocional. Nuk kam fjalë të mënçura, pasi shumë pena të ndritura në Shqipëri e në diasporë kanë shkruar bukur, kthjelltë. Nuk do të dija të shkruaja më mirë… Ajo që unë shoh është mrekullia e turmave në sheshe”, shkruan ajo.

Dones ndalet edhe te kryeministri Rama, duke ngritur pyetjen: “Si fle Edi Rama?”, ndërsa thotë se ai, “përpos arrogancës, gënjeshtrave e talljeve e bërbuzjes që u bën turmave në sheshe, përpos akuzave të komploteve ndërkombëtare, është në vështirësi, edhe se më mirë vdes se t’ia pranojë vetes”.

Shkrimtarja kujton gjithashtu mbështetjen që i kishte dhënë Ramës në vitin 2013, duke e cilësuar sot atë zgjedhje si një zhgënjim.

“Edi Rama, në 2013 të besuam. Unë mes shumë të tjerëve, duke shpresuar në një tjetër Shqipëri. Personalisht mendoj se ishte gabimi më i madh që bëra”, shprehet ajo.

Në fund të reagimit të saj, Dones i bën thirrje kryeministrit të largohet dhe t’i hapë rrugë ndryshimit.

“Tani të ftoj ta lësh vendin të marrë frymë. Forca jote aktuale është një opozicion qesharak, i cili të përshtatet. Por, Rama, lëre Shqipërinë të bëjë gabime të tjera. Nuk ke të drejtën të bësh Shqipërinë Kurban për ambicien tënde të sëmure”, përfundon shkrimtarja.

Postimi i plotë:

Nuk di si fle e si zgjohet Kryeministri shqiptar; nuk kam si ta di.

Platoni, në veprën e tij “Republika” përqaste gjumin me botën e hijeve dhe iluzioneve, duke sugjeruar se mendja gjatë gjumit sjell në sipërfaqe refleksione të realitetit, më shumë (apo në vend) të së vërtetës. Gjatë fjetjes, subkoshienca – e cila gjatë ditës normalisht shtyp e nënshtron natyrën bestiale të individit – gjatë natës nuk na lë të qetë. E vërteta dhe perceptimi vetjak i realitetit janë gjithmonë në luftë mes tyre.

E mora larg e larg. Por larg jam, fizikisht, këto javë, nga vendlindja e edhe nga Zvicra, vendi adoptiv. Kam ndjekur e ndjek netëve e çdo mëngjes, përshkuar nga emocione që i afrohen tërmetit emocional.

Nuk kam fjalë të mënçura, pasi shumë pena të ndritura në Shqipëri e në diasporë kanë shkruar bukur, kthjelltë. Nuk do të dija të shkruaja më mirë.

Por ja, e kam me këtë punën e gjumit. Si fle Edi Rama? Përpos arrogancës, gënjeshtrave e talljeve e bërbuzjes që u bën turmave në sheshe; përpos akuzave të komploteve ndërkombëtare. Është në vështirësi, edhe se më mirë vdes se t’ia pranojë vetes. Hamendësoj se edhe skllevërit e administratës së tij janë në sëkëlldi, por më mirë bëjnë sepuku se të marrin guximin t’i thonë bosit: Po shkojmë në vetvrasje.

Ajo që unë shoh është mrekullia e turmave në sheshe.

Ata njerëz flenë mirë: nipat e mi flenë mirë, të moshuarit dhe brezi i ri i palidhur nga zinxhirët e partive flenë mirë..

Kush po proteston fle mirë, pasi e di që po bën diçka për vendin, sepse kur thika të ka kaluar tej e tej nuk ke më ç’të humbasësh. Por mund t’i thonë vetes se aty ishin. Protestojnë sfilitur nga ulja e kokës; sfilitur nga të qënit konsideruar flora e fauna.

Edi Rama, në 2013 të besuam. Unë mes shumë të tjerëve, duke shpresuar në një tjetër Shqipëri. Personalisht mendoj se ishte gabimi më i madh që bëra. Errare humanum est. Shqipja jote dikur, Rama, ishte brilante. Ti ishe njeriu jashtë skemave; edhe ekscentrizmi yt na u duk i denjë për një tjetër Shqipëri.

Tani Edi Rama edhe shqipja jote është varfëruar. Kur të dëgjoj e lexoj më kapin mornicat.

Tani të ftoj ta lësh vendin të marrë frymë. Forca jote aktuale është një opozicion qesharak, i cili të përshtatet.

Por, Rama, lëre Shqipërinë të bëjë gabime të tjera.

Nuk ke të drejtën të bësh Shqipërinë Kurban për ambicien tënde të sëmure.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *