
Protesta e qytetarëve në Tiranë ka hyrë në ditën e dymbëdhjetë të saj.
Fillimisht, protestuesit u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, ku më pas nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, me thirrje kundër qeverisë dhe opozitës zyrtare,
Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje të përsëritura si “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, jo e oligarkëve”, “Shqipëri e re”
Protesta vijon në mënyrë paqësore, ndërsa pjesëmarrësit theksojnë se kërkesat e tyre lidhen me të ardhmen e të rinjve dhe ndryshime në jetën politike e sociale në vend, ndërsa sot ka pas thirrje nga protestuesit që SPAK të nisë hetimet ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërsa rreshtuan sipas tyre disa afera, si rasti i Belinda Ballukut, Arben Ahmetajt, etj.
Ndërsa, një nga protestuesit u shpreh se tubimi fillimisht nisi si “revolucioni i flamingove”, por sipas tij, tashmë ka marrë një dimension më të gjerë.
“11 ditë më parë kjo nisi si revolucioni i flamingove. Kjo nuk është më çështja e flamingove, e Zvërnecit apo e Nartës, kjo është çështja e të drejtës sonë për t’u dëgjuar. Kjo është çështja e Shqipërisë që duam t’ua lëmë fëmijëve tanë. Lufta për të mbrojtur natyrën është një luftë që nuk mbaron kurrë. Këtu jemi për të mbrojtur krenarinë. Është beteja e fundit për të mbrojtur identitetin tonë. Nuk do të ndalemi”, tha ai.
Prej 12 ditësh, protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe nuk janë raportuar incidente.
Organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat çdo ditë nga ora 18:00, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave përfshihet edhe anulimi i ligjeve që, sipas tyre, lidhen me mjedisin, natyrën dhe zonat e mbrojtura.

Be First to Comment