
Ditën e djeshme u mbajt protesta e 27 radhazi e revoltës qytetare kundër qeverisë, e cila nisi si një kundërshtim ndaj projektit të resortit në Zvërnec dhe Sazan, por tashmë është shndërruar në një lëvizje shumë më të gjerë me kërkesën kryesore për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës socialiste. Një nga subjektet që fshihet mbrapa këtyre protestave është edhe Soros, i cili ka qenë financuesi kryesor i dhjetëra OJF-ve pjesë integrale e protestave, ndërsa suporti mediatik ndërkombëtar vjen nga medie të fuqishme të financuara prej tij që po sulmojnë hapur investimin e familjes Trump me tituj si “Ivanka Trump ndez Shqipërinë” etj.
Në situatën aktuale, ku artileritë e rënda mediatike kanë shtënë mbi familjen Trump dhe Shqipëria është bërë pjesë e një lufte titanësh mes të majtës dhe të djathtës, roli i familjes Soros duket se ka sakrifikuar “ushtarin” e saj besnik, Edi Ramën, për interesat e së majtës amerikane por edhe të lëvizjes sorosiste. Nga çka ka ndodhur aktualisht, kryeministri shqiptar ndodhet i tamponuar midis familjes Trump dhe familjes Soros, ku roli i tij mbetet i paqartë nëse është viktima e luftës së Soros apo është bashkëpunëtor i fshehtë i tij në luftën ndaj republikanëve dhe vetë presidentit Trump.
Soros duket se e ka sakrifikuar ushtarin e tij besnik, pasi ky i fundit i ka krijuar dhe kosto të mëdha politike për shkak të akuzave për korrupsion. Në rastin konkret, ai po shërben si një “pastrim” i një problemi që tashmë është bërë barrë për rrjetin sorosian. Ndërkohë, edhe në kampin e Trumpit janë shtuar dyshimet se vetë Rama po luan me dy porta, duke u përpjekur të mbajë lidhje me të dyja palët.
Fred Abrahams zbret në terren
Në sheshin e betejës ka zbritur Fred Abrahams një figurë e rëndësishme për Sorosin, por edhe për shërbimet sekrete amerikane, i cili ka qenë një nga personazhet që ka qenë aktiv kudo ku ka pasur ndryshime tektonike në Ballkan dhe më tej. Faktin e përfshirjes së Fred Abrahams në protestat aktuale e ka deklaruar edhe njeriu mediatik i Edi Ramës, Baton Haxhiu, i cili ka deklaruar se Abrahams gjatë ditëve të protestave ka qenë aktiv dhe prezent kundër Edi Ramës.
Fred Abrahams, gazetari amerikan dhe ish-drejtues i lartë i Human Rights Watch, është rikthyer në qendër të debatit publik në Shqipëri pas kritikave të tij ndaj qeverisë dhe mbështetjes që ka shprehur për protestat e fundit. Lidhja mes Fred Abrahams dhe Edi Ramës nis në vitet më të vështira të tranzicionit shqiptar. Abrahams mbërriti për herë të parë në Shqipëri gjatë viteve 1993–1994 pikërisht në kuadër të projekteve të financuara nga Fondacioni Soros. Abrahams në librin e tij “Shqipëria e Re – Nga diktatura në demokraci në Europë” dokumentoi ngjarjet dramatike të vitit 1997.
Në këtë libër ai përshkruan me detaje dhunën e ushtruar ndaj Edi Ramës, i cili në atë kohë ishte publicist dhe aktivist, si edhe ndaj Ndre Legisit, duke e paraqitur Ramën si një prej figurave të goditura nga pushteti i kohës. Marrëdhënia mes tyre vazhdoi edhe vite më vonë. Në dhjetor të vitit 2015, Fred Abrahams promovoi librin e tij në Tiranë dhe u prit nga Edi Rama në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri. Në atë kohë, Rama e vlerësoi publikisht librin e Abrahams, duke e cilësuar si një pasqyrë profesionalisht të paanshme dhe një memorie të rëndësishme të 25 viteve të tranzicionit shqiptar. Por me kalimin e viteve raporti ndryshoi rrënjësisht.
Në intervista dhe analiza të shumta publike, Abrahams është shprehur se Rama i sotëm nuk ka më asnjë lidhje me disidentin, artistin dhe aktivistin e të drejtave të njeriut që ai kishte njohur në fillim të viteve ’90. Një nga kritikat më të forta lidhet me afrimin e kryeministrit shqiptar me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, të cilin Abrahams e ka konsideruar si një devijim nga idealet demokratike që Rama përfaqësonte dikur. Në shkrimet e fundit, Fred Abrahams e ka përshkruar rrugëtimin politik të Edi Ramës si një transformim “nga kritiku i vitit 1997 te autokrati i sotëm”.
Sipas tij, megjithëse Shqipëria nuk ndodhet më në kaosin e vitit 1997, pushteti është përqendruar në një dorë të vetme dhe qeverisja ka marrë elementë autoritarë. Qëndrimet e tij të fundit për protestat kanë sjellë reagime të forta nga Partia Socialiste. Eksponentë të mazhorancës, përfshirë Taulant Ballën, kanë publikuar deklarata dhe video ku akuzojnë Fred Abrahams se ka ricikluar propagandën serbe kundër komandantëve të UÇK-së. Nga njeriu që dokumentoi dhunën ndaj Edi Ramës dhe u vlerësua publikisht prej tij në vitin 2015, ai është shndërruar sot në një nga kritikët më të ashpër ndërkombëtarë të qeverisjes së kryeministrit shqiptar.
Paralelisht, lidhja e tij e hershme me Fondacionin Soros dhe lidhjet e tij me Soros vazhdojnë të përdoren si elementë të debatit politik në Shqipëri. Karriera ndërkombëtare e Abrahams përfshin gjithashtu dokumentimin e krimeve serbe në Kosovë (1998–1999), ku dëshmitë e tij shërbyen kundër Millosheviçit në Hagë, si dhe misione në Maqedoninë e Veriut, Irak, Libi, Siri, Gaza, Liban, Sri Lanka dhe Bangladesh. Sot, nga dëshmitari dhe mbrojtësi i viteve ’90, Fred Abrahams është kthyer në një nga oponentët më të zëshëm të Ramës, duke e parë atë si personifikim të dështimit të premtimeve të tranzicionit demokratik.

Be First to Comment