
Çështja “Balluku” bëhet sërish objekt debati në Bruksel, eurodeputetja holandeze godet mazhorancën dhe kërkon heqjen e imunitetit të ish-zv/kryeministres për t’i hapur rrugë arrestimit nga SPAK, ja mesazhi i fortë për Kuvendin
Çështja “Balluku” është rikthyer me bujë të madhe si objekt debati në Bruksel, ku eurodeputetja holandeze, Tineke Strik ka lëshuar një goditje ballore ndaj mazhorancës socialiste përmes një fjalimi mjaft kritik në Parlamentin Europian (PE). Strik ngriti shqetësimin e lartë për mbrojtjen politike që po i bëhet ish-zv/kryeministres në Tiranë, duke vlerësuar nga njëra anë pavarësinë e SPAK-ut, por nga ana tjetër duke kritikuar ashpër Kuvendin e Shqipërisë për mosmiratimin e kërkesës për heqjen e imunitetit të saj.
Ky reagim i fortë ndërkombëtar vjen në një moment kur Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ashpërsuar në kulm akuzat ndaj ish-ministres së Energjisë dhe Transporteve, Belinda Ballukut, duke e regjistruar tashmë zyrtarisht si person të dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash, përveç akuzës fillestare si e pandehur për shkelje të barazisë në tendera. Laku rreth ish-numrit dy të qeverisë po shtrëngohet me shpejtësi, pasi skandali i fundit i zbardhur nga SPAK lidhet me dy tendera abuzivë me vlerë mbi 1 milion euro në kohën kur ajo drejtonte “Albcontrol”.
Sipas prokurorëve, këto tendera iu dhanë në shkelje të hapur një kompanie ndërtimi, nga e cila Balluku dyshohet se mori si ryshfet një vilë luksoze në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, pasuri kjo që u sekuestrua me vendim të menjëhershëm të GJKKO-s. Kujtojmë se llogaritë e saj me drejtësinë kanë nisur që në 31 tetor të vitit 2025, kur u mor e pandehur për tunelin e Llogarasë, akuzë e cila më pas u shtri si hije dyshimi edhe në shtatë lotet e ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës. “mendoj se, fakti që SPAK-u tani po, vepron në mënyrë aq të pavarur është vërtet një sukses i madh i të gjithë procedurës së vetting-ut. Kjo tregon gjithashtu se Shqipëria është në një rrugë të mbarë, por do të thotë gjithashtu se ata—ata tani mund të nxjerrin në dritë gjërat që po shkojnë keq. Pra, tani po zhvillohet ky hetim për, korrupsion lidhur me këtë projekt.
Por ka edhe një tjetër, rast korrupsioni, për të cilin SPAK-u ka kërkuar heqjen e imunitetit në parlament, dhe kjo ka të bëjë me Zëvendëskryeministren Balluku. Deri më tani, ky parlament ka refuzuar t’ia heqë imunitetin. Do t’ju bëja thirrje vërtet urgjente që—ta zhbëni këtë, të lehtësoni këtë hetim dhe të siguroheni që drejtësia, të mund të bëhet në përgjithësi. Faleminderit”, deklaroi eurodeputetja holandeze, Tineke Strik. Por edhe pse Kuvendi i Shqipërisë (Partia Socialiste) refuzoi herën e parë të jepte autorizimin për arrestimin e saj, duke lënë në fuqi vetëm pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit, SPAK po bëhet gati t’i drejtohet sërish Parlamentit me prova të reja e të rënduara, duke i kërkuar heqjen e imunitetit të zonjës Balluku. Pra mesazhi i eurodeputetes holandeze, Tineke Strik është një ultimatum i qartë për politikën shqiptare: sapo kërkesa e re e Prokurorisë së Posaçme të mbërrijë në Kuvend, imuniteti i Ballukut duhet të shkrihet menjëherë për t’i hapur rrugë arrestimit të saj pa asnjë vonesë.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ashpërsuar akuzat ndaj ish zv/kryeministres Belinda Balluku. Përveçse e pandehur për shkelje në tendera, Balluku është regjistruar si person i dyshuar edhe për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Episodi i zbardhur nga SPAK lidhet me 2 tendera me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur Balluku drejtonte “Albcontrol”. SPAK thotë se tenderat iu dhanë në shkelje një kompanie ndërtimi, dhe Balluku mori ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim të djeshëm të GJKKO. Konkretisht në kohën kur ishte drejtoreshë e Albcontrol, ku ishte emëruar që në shtator 2013, Belinda Balluku, më pas ministre dhe zv/kryeministre, hapi një tender nëntorin e vitit 2014 me vlerë 88.6 milionë lekë të reja, ose rreth 880 mijë euro me kursin e sotëm.
Tenderi synonte rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol. Një vit më vonë po këtij tenderi iu bë një shtesë, plus 140 mijë euro. Një vlerë totale prej 102 milionë lekësh të reja. Prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, thonë se Balluku, e ndihmuar edhe nga vartësit në “Albcontrol”, Ervis Berberi në atë kohë me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe 3 anëtarët e Njësisë së Prokurimit, ka favorizuar kompaninë ndërtuese, jo vetëm në procedurat tenderuese por edhe në lidhjen e kontratës, duke i dhënë 50% të vlerës parapagim. Në këmbim Balluku kërkoi dhe mori nga kompania fituese e tenderit një vilë në bregdetin e Jonit, rezidencën “White Rocks”, për ndërtimin e së cilës firmës së ndërtimit i ishte miratuar leja zhvillimore në mars 2014 nga KKT.
Bëhet fjalë për një vilë dykatëshe tip Begonia, gjithsej 103m2, e rrethuar me një parcele toke jo më pak se 300 m2. Vila ka edhe një verandë 34 m2 dhe vendparkimin brenda sipërfaqes së parcelës. Prokuroria e Posaçme (SPAK) thotë se vila në kompleksin rezidencial në Gjilekë të Dhërmiut është sekuestruar me vendim të djeshëm të firmosur nga gjyqtari i GJKKO, Erion Çela. Për këtë Ballukut tashmë i është regjistruar akuza si e dyshuar për korrupsion pasiv. Vilën 2-katëshe Balluku s’mund ta regjistronte në emër të saj dhe për ta fshehur pasurinë, SPAK thotë se ka përdorur ish futbollistin Igli Tare dhe një vartëse të saj në Albcontrol, shefen e kabinetit Joana Bushi.
Sipas prokurorëve, Igli Tare është bërë pronar fiktiv i vilës në “White Rocks” përmes një kontrate të lidhur më 5 dhjetor 2018. Më pas vila ka kaluar si e dhënë me qira Joana Bushit, ndërkohë që përdorimin faktik e ka pasur Belinda Balluku. Akuzën e pastrimit të parave SPAK ia ka regjistruar Ballukut me rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, me të paktën Igli Taren, të cilit sot zyrtarisht i është komunikuar statusi i personit nën hetim për pastrim parash.
Igli Tare u pyet për plot 6 orë nga agjentët e BKH këtë të enjte, fillimisht i vetëm por më pas u thirr edhe avokati i tij, fakt që konfirmoi se edhe ish futbollisti tashmë është i dyshuar. Belinda Balluku u mor e pandehur 31 tetorin e 2025-s, për shkelje të barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë. Më pas e njëjta akuzë iu regjistrua si e dyshuar në shtatë lotet e ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës. SPAK kërkoi arrestimin e Ballukut por Kuvendi nuk e dha imunitetin e ish-zv/kryeministres, ndaj të cilës qëndrojnë në fuqi masat e pezullimit nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë vendit.

Be First to Comment