Skip to content

“Sa mandate duhen për ujë e drita?”/ Pankartat virale që po bëhen simbol i protestës kundër Ramës

Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 15-të, ndërsa qytetarët vijojnë të mblidhen para Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe ndryshime në drejtimin e vendit.

Përveç pjesëmarrjes së lartë, një nga elementët që ka tërhequr më shumë vëmendje gjatë protestave janë pankartat kreative dhe mesazhet e frymëzuara nga memet e njohura të rrjeteve sociale. Me humor, ironi dhe mesazhe të drejtpërdrejta, protestuesit kanë zgjedhur të shprehin pakënaqësitë e tyre në një formë që ka marrë jehonë të gjerë edhe në internet.

Mes sloganeve më të komentuara që u panë në protestën e djeshme ishin: “Sa mandate duhen për ujë dhe drita 24 orë?”, “Mos na lini vetëm flamurin, por edhe Atdheun”, “Ne jemi shqiponja, nuk jemi dele” dhe “Nuk është cirk Shqipëria, larg kllounët nga qeveria”.

Pankarta të tjera vinin në fokus raportin mes qytetarëve dhe pushtetit, si dhe presionin që sipas protestuesve ushtrohet ndaj njerëzve që kundërshtojnë qeverinë. Mes tyre spikatnin mesazhe si: “Më kërcënuan me vendin e punës, por sërish dola në protestë. Kush është justifikimi yt?”, “Fuqia e njerëzve, jo e oligarkëve” dhe “Qytetari kërkon qytetari, shteti tregon harbutëri”.

Organizatorët thonë se pankartat janë kthyer në një nga simbolet më të veçanta të protestës, duke i dhënë asaj një identitet të dallueshëm dhe duke përcjellë mesazhet e qytetarëve në mënyrë kreative dhe të drejtpërdrejtë.

Ndërsa protesta hyn në javën e tretë, qytetarët shprehen të vendosur për të vijuar mobilizimin, duke përdorur jo vetëm fjalimet dhe thirrjet, por edhe humorin dhe ironinë si forma proteste kundër qeverisë.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *