
Mes qindra pankartave dhe mesazheve të ngritura sot nga qytetarët që protestuan para Kryeministrisë në Tiranë kundër projektit të investimit në zonën e Sheshit Skënderbej dhe kundër politikave të qeverisë, njëra prej tyre tërhoqi veçanërisht vëmendjen e protestuesve dhe kalimtarëve.
Me një mesazh të thjeshtë, por të fortë emocionalisht, në pankartë shkruhej: “Klodian Rasha, nuk të kemi harruar.”Në një protestë të fokusuar kryesisht te çështjet e pronës publike, transparencës dhe vendimmarrjes së qeverisë, rikthimi i emrit të Klodian Rashës tregoi se për shumë qytetarë disa ngjarje vazhdojnë të mbeten simbol i kërkesës për drejtësi dhe llogaridhënie.
Klodian Rasha, 25 vjeç, u vra në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit 2020 nga një efektiv i Policisë së Shtetit në Tiranë, gjatë periudhës së kufizimeve të forta të lëvizjes të vendosura për shkak të pandemisë së COVID-19. Sipas të dhënave zyrtare, i riu nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u largua me vrap, ndërsa më pas u qëllua me armë zjarri nga efektivi i policisë. Ngjarja shkaktoi reagime të forta publike dhe protesta të shumta në mbarë vendin.
Vrasja e Rashës u kthye në një nga ngjarjet më tronditëse të viteve të fundit në Shqipëri, duke nxitur debat të gjerë mbi përdorimin e forcës nga policia, respektimin e të drejtave të njeriut dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore. Pas ngjarjes pati protesta masive në Tiranë dhe qytete të tjera, ndërsa çështja mbeti për një kohë të gjatë në qendër të vëmendjes publike.

Be First to Comment